EURO 2012 / Mision i veshtire, por i mundshem | ||||
|
Pas hedhjes se shortit per eliminatoret e EURO 2012, disa prej trajnereve ne futbollin Kosovar kane shprehur mendimin e tyre. “Kur Sllovenia eliminoi Rusinë duke siguruar ‘Botërorin 2010’, pse Shqipëria të mos eliminojë Rumaninë, Bosnjë e Hercegovinën dhe Bjellorusinë, për të siguruar një vend në Kampionatin Evropian 2012”. Këto komente i ka bërë një nga strategët më të suksesshëm në futbollin tonë, Bylbyl Sokoli. Franca, Rumania, Bosnja e Hercegovina, Bjellorusia dhe Luksemburgu do të jenë kundërshtaret e Shqipërisë për eliminatorët e “Euro 2012”, që do të mbahen në Poloni dhe Ukrainë. Disa njohës të futbollit tonë kanë favorizuar Francën. Por, sipas tyre, edhe Shqipëria ka mundësi të mëdha që ta arrijë qëllimin historik: kualifikimin në evropianin e ardhshëm. Trajneri i KEK-ut, Bylbyl Sokoli, ka thënë se Franca në Grupin D është favorite, por, sipas tij, Rumania, Bosnja, Bjellorusia dhe kombëtarja e Shqipërisë kanë gjasa të barabarta për të siguruar një vend në Evropianin 2012. “Franca është favorite, ndërsa Rumania, Bosnja, Bjellorusia dhe Shqipëria kanë të njëjtat gjasa. Fati i kombëtares sonë varet edhe nga orari i ndeshjeve. Nëse ekipi shqiptar do të ketë start të mirë, rruga për në evropian do të jetë më e lehtë, por duhet të ketë kujdes që skuadra shqiptare të mos bëjë ndonjë ‘gafe’ ndaj Luksemburgut, ekip ky që konsiderohet ‘autsajder’ në këtë grup”, ka thënë Sokoli. Celina: Me punë mund të arrihet vendi i dytë Trajneri më i mirë i vitit që kemi lënë pas, Erdogan Celina, e ka vlerësuar të vështirë grupin e Shqipërisë, por ai është optimist se me punë mund të arrihet vendi i dytë në grup, vend që shpije në “Euro 2012”. “Grupi është i vështirë, për faktin se dy-tri skuadra janë më të forta se Shqipëria. Në ekipin shqiptar duhet të punohet shumë për ta realizuar dëshirën shqiptare. I gjithë stafi i kombëtares shqiptare duhet ta marrë këtë punë shumë seriozisht, sepse ekzistojnë mundësitë që Shqipëria ta arrijë vendin e dytë. Duhet tejkaluar mundësitë e ekipit shqiptar për ta arritur kualifikimin në Evropianin 2012”, ka theksuar Celina. Hoxha: Ka ardhur koha që Shqipëria ta arrijë qëllimin Optimist për një kualifikim të mundshëm të kombëtares shqiptare në eliminatorët e “Euro 2012” është shprehur trajneri i Besës së Pejës, Genc Hoxha. Ai ka pohuar se grupi në të cilin do të garojë ekipi shqiptar është i vështirë, por, sipas tij, nuk është mision i pamundshëm. “Në kualifikimet e evropianit s’ka grup të lehtë. Edhe këtë herë Shqipëria gjendet në grup të vështirë, por mendoj se gjasat për kualifikim ekzistojnë. Kombëtarja shqiptare duhet të organizohet mirë, në mënyrë që t’i arrijë synimet e veta. Ka ardhur koha që Shqipëria ta arrijë qëllimin e vet: kualifikimin në evropian”, ka thënë Hoxha. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 4341 |