Trajneret / Nuk ka kushte per rritje te kualitetit! | ||||
|
Ish-përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës në Futboll, Edmond Rugova, ka thënë se kushtet dhe rrethanat në të cilat zhvillohet futbolli i Kosovës janë pengesa në avancimin e këtij sporti. Pas një pushimi “maratonik”, pas pesë ditësh zyrtarisht do të nisë pjesa e dytë e garave në futbollin tonë. Tashmë skuadrat elitare janë në përfundim të përgatitjeve dhe të gatshme për sfidat pranverore, e që nga njohësit e këtij sporti, pritet futboll më cilësor dhe më interesant se në sezonin vjeshtor. Sipas Rugovës, dëshira e futbollistëve për të shfaqur futboll më kualitativ nuk mungon, por kushtet për zhvillimin e lojës së futbollit janë shkaqet që po e pengojnë avancimin e sportit numër një në Kosovë. “Të gjithë jemi të vetëdijshëm se në çfarë kushte dhe rrethana zhvillohet futbolli ynë. Infrastruktura sportive, kushtet financiare të klubeve janë pengesat kryesore në ngritjen e cilësisë së futbollit”, ka thënë Rugova. Ai thotë se të gjithë duhet të punojmë shumë më shumë në këtë drejtim, në mënyrë që t’i arrijmë sukseset e dëshiruara. “Të gjithë, duke filluar nga qeveria, federata e futbollit dhe të gjitha ata që merren me futboll, duhet të punojnë më shumë në këtë drejtim. Qeveria e Kosovës duhet të ketë qasje më serioze në këtë drejtim. Qeveria në koordinim me Federatën e Futbollit mund të ndikojë në krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e futbollit tonë”, ka pohuar Rugova, i cili shpreson se stinori pranveror të jetë më kualitativ. Tortoshi: Me futbollistë të njëjtë, kualiteti i njëjtë Skeptik në rritjen e cilësisë së futbollit është shprehur edhe trajneri i Flamurtarit, Jusuf Tortoshi. Ai ka thënë se edhe në pjesën e dytë të garave kualitetit i futbollit tonë do të jetë i njëjti me sezonin e kaluar. Sipas Tortoshit, nuk mund të ketë ngritje të cilësisë, për faktin se edhe në stinorin pranveror në futbollin e Kosovës, do të militojnë të njëjtit lojtarë që kanë qenë edhe në pjesën e parë të garave. “Nuk pres që të ketë ngritje të cilësisë së futbollit. Janë të njëjtit lojtarë që kanë qenë edhe në stinorin vjeshtor, përveç amerikanit të angazhuar në Prishtinë. Me futbollistët e njëjtë edhe kualitetit do të jetë i njëjtë. Por, shpresoj se pranvera të sjellë futboll më të mirë”, ka thënë Tortoshi. Sahiti beson në rritjen e cilësisë Ndërkohë, trajneri i Gjilanit, Muharrem Sahiti, i njohur me nofkën “Muki”, ka thënë se diferenca e vogël e pikëve në mes të skuadrave do ta bëjë më joshëse pjesën e dytë të garave. Ai thotë se ngritja e kualitetit të futbollit do të varet edhe nga kushtet në të cilat zhvillohet loja e futbollit. “Mendoj se pjesa e dytë e garave do të sjellë futboll kualitativ, për faktin se diferenca e pikëve në mes të skuadrave që luftojnë për tituj dhe atyre për mbijetesë është e vogël. Rritja e kualitetit të futbollit natyrisht se do të varet edhe nga kushtet në të cilat zhvillohet futbolli. Nëse do të ketë kushte të mira, mund të presim futboll më cilësor”, ka thënë Sahiti, i cili ka shtuar se “qysh në dy-tri xhirot e para të sezonit do të mund të shihet se sa janë të përgatitur skuadrat dhe sa janë të qëlluara transferimet që janë bërë gjatë aftit dimëror”. “Se cila skuadër do të dalë kampione, e cila do të largohet nga liga, është vështirë të parashihet, për shkak se diferenca e pikëve është e ngushtë. Pavarësisht se kush do ta fitojë titullin e kush do të largohet nga liga, do të dëshiroja që kualiteti i futbollit të shkohet në rritje, por jam i bindur se kampionati do të jetë interesant”, ka theksuar Sahiti. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 2399 |