Trajneret: Sezoni me i mire dekaden e fundit | ||||
|
Trajneri i kampiones në fuqi, Prishtinës, Skënder Shengyli, ka thënë se sezonin vjeshtor në futboll, i cili përfundoi pak ditë më parë, ka qenë më i miri në dhjetë vjetët e fundit. Trepça e Mitrovicës është kampione e sezonit vjeshtor, e ndjekur nga Hysi. Sipas Shengylit, sistemi i ri i garave ka sjellë ndryshime pozitive në futboll. “Në këta dhjetë vjetët e fundit ky edicion ka qenë më i miri. Sistemi i ri i garave ka sjellë ndryshime pozitive në lojën e futbollit, mirëpo personalisht do të dëshiroja që Superliga të ketë vetëm dhjetë skuadra dhe të luhet me sistem të dyfishtë, në mënyrë që të avancohet edhe më shumë futbolli”, ka thënë trajneri i Prishtinës, Skënder Shengyli. “Edicioni tashmë ka bërë që shumë skuadra të jenë afër njëra me tjetrën me pikë, ndonëse aty këtu ka pasur ndonjë ekses, megjithatë garat kanë qenë më interesante dhe besoj se edhe në pjesën e dytë të garave do të shohim futboll edhe më kualitativ”. Shengyli ka thënë se loja e futbollit gradualisht po arrin nivelin e kënaqshëm, ndonëse, sipas tij, duhet punuar edhe më tutje në këtë drejtim. “Besoj se në çastin kur liga do të jetë në dhjetë skuadra, atëherë niveli i lojës së futbollit do të jetë shumë më i lartë dhe më i kënaqshëm. Gradualisht futbolli po ecën përpara, por ende jo në atë pikën që ne dëshirojmë, prandaj duhet punuar intensivisht në këtë drejtim, në mënyrë që ta arrijmë nivelin të cilin ne e kërkojmë”, ka theksuar Shengyli. Prekazi: Zvogëlimi i ligës dhe organizimi i klubeve ka sjellë ndryshime pozitive në futboll I kënaqur me rrjedhën e garave të sezonit vjeshtor është shprehur edhe trajneri i Hysit, Luan Prekazi. Ai ka pohuar se zvogëlimi i ligës dhe organizimi nëpër klube ka qenë më i mirë se në kampionatin e kaluar dhe që kanë sjellë përparim në futboll. “Me zvogëlimin e ligës, por edhe me organizimin më të mirë nëpër klube, ky edicion ka qenë i mirë dhe i nivelit më të lartë. Infrastruktura është një problem që tash e sa vjet na sjell probleme, megjithatë ne kemi luajtur edhe nëpër livadhe, kështu që jemi mësuar të luajmë në kushte të vështira. Realisht jam i kënaqur me garat e zhvilluara në sezonin vjeshtor”, ka thënë Prekazi, i cili ka shtuar se “duhet të vazhdojmë me këtë ritëm edhe në sezonin pranveror”. Hoxha: Kemi bërë një hap para Edhe homologu i Prekazit, Genc Hoxha, trajner i Besës së Pejës, e ka vlerësuar të kënaqshme pjesën e parë të garave. Hoxha ka theksuar se në futbollin tonë është bërë një hap para. “Shikuar rrjedhën e sezonit, mund të them se është bërë një hap para në futbollin tonë. Garat kanë qenë më dramatike, për faktin se skuadra kampione nuk është ditur deri në xhiron e fundit”, ka thënë Hoxha, duke shtuar se edhe cilësia e futbollit ka qenë më e mirë. “Cilësia e futbollit ka qenë më e mirë se në edicionin e kaluar, por edhe shikueshmëria ka qenë më e madhe, e këto janë sinjale të mira për futbollin tonë”, ka përfunduar timonieri i pejanëve Genc Hoxha. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 3130 |