Raiffeisen Superliga/ Trepça’89 merr pozitën e liderit | ||||
|
Sot janë zhvilluar tri ndeshje në kuadër të javës së 6-të në Raiffeisen Superligë. Trepça’89 ka arritur t’i gëzohet fitores në kryeqytet në duel me skuadrën kampione në fuqi, Prishtinën, me rezultat 2-1. Kjo fitore ia ka mundësuar skuadrës mitrovicase të ngjitet në krye të renditjes, me një pikë më shumë se sa prishtinasit, për të cilët kjo ishte humbja e parë në këtë edicion. Trepça’89 kaloi në epërsi në minutën e 42-të, pasi më herët prishtinasit kishin shpërdoruar disa raste të mira shënimi. Ishte kapiteni Shpëtim Idrizi, ai, i cili shënoi një supergol nga gjuajtja e lirë. Prishtina arriti të rikthehet në rezultat pas tre minutash lojë në pjesën e dytë, kur Azem Ahmeti shënoi nga pika e bardhë. Megjithatë, 10 minuta para përfundimit të ndeshjes epilogun e kësaj ndeshje e vulosi Shpëtim Idrizi, me golin e tij të dytë, pas një asistimi të shkëlqyeshëm të Isuf Llumnicës. Feronikeli i ka dhënë fund serisë së rezultateve negative, duke e mposhtur Hysin, në Kastriot, me rezultat 4-2, në një ndeshje interesante me shumë gola dhe raste. Vendasit kaluan në epërsi në minutën e 12-të, me golin e Qemajl Elshanit, por katër minuta më vonë shifrat i barazoi Labinot Osmani me gjuajtje me kokë pas harkimit të Mentor Zhdrellës. Por, ky gol i mysafirëve vetëm sa i motivojë futbollistët e Feronikelit për të qenë edhe më këmbëngulës në sulm. Ata e rikthyen epërsinë në minutën e 32-të, me golin e shënuar nga Fatih Karahoda me gjuajtje me kokë pas harkimit të Zeqir Hasit, derisa vetëm tre minuta më vonë Qemajl Elshani realizoi golin e tij të dytë për ta çuar epërsinë e Feronikelit në 3:1. Në pjesën e dytë të dy skuadrat shënuan nga një gol. Mentor Zhdrella e ngushtoi epërsinë në 3-2 nga penalltia në minutën e 81-të, por shpresat e Hysit për të barazuar shifrat ia veniti Fatih Karahoda, me golin e tij të dytë, dy minuta para përfundimit të takimit. Ndërkohë, ndeshja e zhvilluar në Suharekë ndërmjet Lirisë dhe Drenicës ka përfunduar pa fitues, 1-1. Mysafirët kaluan të parët në epërsi, me golin e shënuar nga Denis Bajraktari, por një pikë prizrenasve ia siguroi Vedat Muriqi, në minutën e 78-të. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 5587 |