Valmir Bytyçi kërkon të largohet "mjegulla" | ||||
|
“Gardiani” i skuadrës së Besës, Valmir Bytyçi, u ka bërë thirrje drejtuesve të skuadrës që “mjegulla” e krijuar në skuadër të largohet sa më parë. Ndryshe, sipas Bytyçit, skuadrën pejane do ta kaplojë edhe kriza e largimeve të futbollistëve cilësorë. “Ende nuk po dihen synimet e skuadrës për stinorin pranveror. U bëj thirrje drejtuesve të skuadrës që ta largojnë këtë ‘mjegull’ sa më parë nga skuadra, pasi shumë futbollistë cilësorë mund të largohen nga skuadra në këtë afat të shkurtë kalimtar”, ka thënë Valmir Bytyçi. Skuadra e Besës është e vetmja që ende nuk ka filluar të mendojë për përforcime në këtë miniafat kalimtar. Numri një i skuadrës së drejtuar nga strategu Genc Hoxha ka marrë disa oferta në këtë miniafat kalimtar, por, sipas tij, primare mbetet skuadra e Besës. “Oferta kam marr nga disa skuadra që bëjnë gara në Raiffeisen Superligë, por për mua primare mbetet skuadra e Besës. Të shohim çfarë po ndodh në ditët e ardhshëm. Nëse nuk do të ketë ndonjë përmirësim, mund të largohem”, ka shtuar ai.
Nuk i humb apetit
Anëtarit të Përfaqësueses së Kosovës, Valmir Bytyçit, pavarësisht problemeve të fundit në skuadër, ende s’i ka humbur apetiti për suksese. Ai ka shprehur mendimin se me tri përforcime skuadra e Besës di ta rrëmbejë Kupën e Republikës së Kosovës dhe kampionatin do ta kishte përfunduar në krye të tabelës. “Nëse arrijmë t’i eliminojmë këto probleme sa me parë dhe nëse përforcohemi me tre futbollistë cilësorë, do të ishim favoritë në garat e kupës dhe kampionatin do ta përfundonim në pozitat e para në tabelën e klasifikimit”, ka shtuar Bytyçi. Skuadra e Besës ka arritur që sezonin vjeshtor ta mbyllë në gjashtëshen e parë në renditjen tabelore, kurse është kualifikuar edhe në çerekfinalen e Kupës së Republikës së Kosovës në Futboll. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 2983 |