Vllaznia/ Tefik Osmani vishet kuqeblu | ||||
|
Vllaznia duket e papërmbajtshme në merkaton e verës. Kuqeblutë kanë siguruar edhe firmën e mbrojtësit Tefik Osmani, duke blindur në këtë mënyrë repartin difensiv. Pas negociatave që kanë zgjatur mbi dy javë, 27-vjeçari ka firmosur kontratën me klubin shkodran. Osmani është prezantuar në të njëjtën ditë te Vllaznia, përkrah blerjes së re të skuadrës, Ndriçim Shtubina dhe në praninë e drejtorit sportiv të klubit, Armir Grima. Mbrojtesi Osmani ka shprehur kënaqësinë që do të mbrojë ngjyrat kuqeblu, duke premtuar se do të japë maksimumin ashtu si ka bërë për çdo skuadër. Mbrojtësi konfirmoi se u bind për tiu bashkuar Vllaznisë pas këmbënguljes së trajnerit Shpëtim duro, por edhe të mikut të tij, Dritan Smajli, ndërsa faktor tjetër i rëndësishëm ishte edhe projekti i klubit që pretendon të fitojë trofe. Gjatë konferencës, drejtori sportiv Grima ka nënvijëzuar se është mbyllur gjithçka edhe për sa i takon Kristian Dragoit dhe sapo ai të mbërrijë në Shqipëri do të firmoset kontrata. Me afrimin e Osmanit, ka arritur në shtate numri i futbollistëve të blerë gjatë kësaj vere nga Vllaznia, ku mes emrave të tjerë të rëndësishëm spikat edhe ai i Elvin Beqirit, që pritet të mbajë shiritin e kapitenit. Tashmë klubi po punon për të afruar edhe një sulmues, ku përveç interesimit për Pero Pejiç, kandidat potencial është edhe Vilfor Hysa. Pas disa bisedimeve në distancë, në orët në vazhdim drejtuesit e klubit shkodran pritet të takohen personalisht me 22-vjeçarin.
Set as favorite Bookmark Email this Hits: 3439 |