Ne Fokus / "Lufte" ne Shkoder, gjakoset Refik Halili dhe plagoset nje 12-vjecar | ||||
|
Bilanc “lufte” në Shkodër pas ndeshjes Vllaznia-Tirana. Afro 20 tifozë të Vllaznisë dhe Tiranës janë dërguar me urgjencë në Spitalin rajonal të Shkodrës. Me të çara në kokë, plagë në trup e disa të tjerë të goditur me armë të ftohta si thika apo të qëlluar me shkopinj e gurë, të fashitur e të larë me gjak kanë mbërritur në urgjencën e spitalit. Infermierët dhe mjekët e turnit kanë vepruar me shpejtësi, në mënyrë që të mos kishte pasoja dhe dëmtimet të ishin sa më të lehta. Në urgjencë nuk kanë qenë vetëm tifozë, por edhe katër policë, të cilët janë gjakosur në pjesë të ndryshme të trupit. Bëhet fjalë për Pjetër Bungaja, Tahir Lekndreu, Agim Lohja dhe Gjergj Dodani. Më rëndë nga të gjithë ishte polici Bungaja, i cili mori goditje në kokë, ndonëse është jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa tre policët e tjerë janë mjekuar dhe më pas janë larguar nga spitali. Një tifoz i Vllaznisë, Ismet Osmani, rreth 40 vjeç, ka marrë tri goditje me thikë në trupin e tij dhe fillimisht u mendua se ishte në gjendje të rëndë. Ai menjëherë i është nënshtruar mjekimit të shpejtë, duke arritur të dalë jashtë rrezikut për jetën. Kirurgu Ardjan Dajti tregon se si kanë mbërritur në spital tifozët e të dyja ekipeve, Vllaznisë dhe Tiranës. “Ambulancat e urgjencës kanë shkuar dhe ardhur disa herë, duke sjellë tifozët e plagosur dhe të dëmtuar nga stadiumi. Me disa tifozë kemi bërë kujdes, sepse plagët e tyre kishin disa orë që ishin shkaktuar, pasi nuk kishin mundur që të vinin menjëherë në spital. Plagët dhe dëmtimet kanë qenë nga më të ndryshmet. Jemi përpjekur të bëjmë maksimumin, në mënyrë që të shpëtojmë jetët e të gjithëve. Falë angazhimit të të gjithëve ia arritëm qëllimit. Ka pasur tifozë nga të dyja skuadrat që vinin për t’u mjekuar. Një tifoz i Vllaznisë dhe një polic kanë pasur situatat më të vështira, por arritën të jenë jashtë rrezikut për jetën. Në fakt, jemi befasuar kur kemi parë tifozë që vinin për t’u mjekuar dhe fillimisht menduam se numri i tyre do të ishte i madh, duke marrë parasysh se çfarë po ndodhte. Në fakt nuk kanë ardhur më shumë se 20 persona, të cilët kanë marrë mjekimin e menjëhershëm”, tregon kirurgu për gazetën. Ndërkohë, krahas tifozëve, në spital përfunduan edhe dy futbollistë të rinj të akademisë Vllaznia, Beci dhe Vecaj, të cilët kanë qenë në pistën e stadiumit në momentin e sherrit në fushë. Gjithsesi, për fat të mirë, ata kanë pasur plagë të lehta. Situata e krijuar për trazirat në stadiumin “Loro Boriçi” dhe përhapja e lajmit se kishte të plagosur, ka terrorizuar shumë familje shkodrane dhe të afërm të tifozëve. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 4885 |